Fjala përshëndetëse e Ambasadorit Gjerman Peter Zingraf
Të dashur miq e mikesha të kulturës gjermane dhe shqiptare,
„Tetori Gjerman“ këtë vit bën 14 vjet. Adoleshentët në këtë moshë janë në mes të pubertetit. Edhe javët tona të kulturës gjermano-shqiptare do të kenë këtë vit një pamje tjetër. Që prej fillimit të pandemisë Covid-19 e përditshmja jonë ka ndryshuar. Kjo na vuri përpara vendim-marrjes së vështirë lidhur me mënyrën, se si do t’ia dilnim që të shijonim kulturën edhe këtë vit. Pasi për ne në vend të parë vjen lufta kundër përhapjes së virusit, e kësisoj siguria e të ftuarve tanë.
Traditën e „Tetorit Gjerman“ do ta vijojmë edhe në 2020. Më gëzon fakti që në fokus për këtë vit kemi temën „Perspektiva: Evropa“. Motivet për këtë janë të gjithhershme - nisja e bisedimeve të anëtarësimit në BE me Shqipërinë, presidenca gjermane e Këshillit të BE-së dhe kryesimi nga Gjermania që prej muajit nëntor i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.
Çfarë është „Evropa“ - apo më mirë, ku është „Evropa“? Jetojmë në një epokë të komunikimit në kohë reale dhe të ultramobilitetit, edhe pse aktualisht duket që ritmi është ngadalësuar disi për shkak të virusit Corona. 30 vjet pas Bashkimit të Gjermanisë, përmes të cilit u vendos një gur themeli për bashkimin e Evropës, këtë vit duam t’i hedhim sytë nisur nga këndvështrime të ndryshme drejt „Evropës“ sonë të përbashkët.
Së bashku me partnerë të shumtë nga Gjermania dhe Shqipëriado të ofrojmë para së gjithash aktivitete virtuale sikundër janë debatet dhe ekspozitat. Por në kalendar do të kemi njëkohësisht edhe një numër të paktë aktivitetesh me prani fizike, të cilat ndjekin një koncept të rreptë higjene. Ju lutem shihni për çdo aktivitetet se si mund të regjistroheni paraprakisht dhe respektoni ju lutem masat e higjenës.
Nëse të gjithë do të japim kontributin tonë, do të mund të shijojmë një „Tetor Gjerman“ të sigurt, zbavitës dhe frymëzues. Unë do të gëzohesha, nëse do të mund t’ju përshëndesja në aktivitetet tona - qofshin këto në ekran apo ‚direkt‘ me maskë dhe distancë.
Përzemërsisht,
Peter Zingraf
Ambasadori Gjerman në Shqipëri